Kuvendi në seancë maratonë: Rama-Basha përplasen në foltore, nga buxheti te kapja e SPAK

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2021, 16:08 | Politikë
Kuvendi në seancë maratonë: Rama-Basha përplasen në

Nga debate për shifrat në akuza politike. Për tri orë Edi Rama dhe Lulzim Basha debatuan ndërmjet tyre jo vetëm për buxhetin e vitit 2022, por edhe mënyrën e menaxhimit të financave.

Politika shqiptare e nisi javën me shqyrtimin në parim të buxhetit për vitin 2022. Që në nisje të seancës plenare, kryeministri Rama doli në foltoren e Kuvendit për ta prezantuar atë me nota pozitive.

“Rrisim financimin për të mbështetur njerëzit e këtij vendi, kategoritë më në nevojë, forcat e punës, fëmijët, nxënësit”.

Qasjes pozitive për financat shqiptare iu kundërpërgjigj Lulzim Basha duke e cilësuar si buxhetin që çon financat shqiptare drejt xhepave të oligarkëve.

“Një ekonomi putiniste të përqëndruar në pak duar dhe që bazohet vetëm te sadakaja që bëni me taksat e shqiptarëve në favorin tuaj dhe të klientëve tuaj. 113 milionë euro për një grusht njerëzish, pesë, gjashtë maksimumi”.

Kreu i qeverisë iu kundërpërgjigj akuzave për PPP me një koncesion për skanimin e kontenierëve të miratuar nga ish-qeveria Berisha, duke nxitur Bashën të mbrohet përmes kundërsulmit.

“E kemi peshqesh nga ju, atë skanimin. Ky është dallimi prapë midis dy civilizimeve. Midis të qeverisurit “Kap Ça të Kapësh” dhe qeverisjes “Jep sa të mundesh”. Ne jemi “Jep sa të mundesh”, ju jeni “Kap ça të kapësh”, u shpreh Rama.

“Skaneri kap kokainën e shokëve të tu. Atë që ti nuk kap se s’do ta kapësh, e kapin ata dhe me mekanizmat e tyre, siç e di ti fare mirë, ia kalojnë edhe DEA”, iu kundërpërgjigj Basha.

Si Edi Rama ashtu edhe Lulzim Basha nuk janë ekonomistë në profesion dhe replikat në sallë kaluan në rrafshin politiko-personal.

“Është shfrenuar goja me sharje, me fyerje, me akuza. U bë këtu një bolori njësoj si të na kishte ardhur këtu në mes ai tjetri. Por ai është origjinali”, vijoi Rama.

“Vetingu dhe pastrimi i politikës është parakusht që karuseli vjedhacak i buxheteve për oligarkët dhe klientëve të qeverive të korruptuara të ndalet njëherë e mirë”, replikoi Basha.

“O Lulzim sa nga këta që ke këtu rrotull të besojnë ty?! Sa?! Mbahu mor burr se për burrat janë të gjitha. Mos e lësho veten kështu. Mbahu…”, u shpreh Rama.

Debati ndërmjet Ramës dhe Bashës zgjati për tri orë dhe i pari që u largua ishte kryeministri. Kjo nuk e pengoi Lulzim Bashën që të vijonte akuzat ndaj tij.

“Ti e ke korruptuar një pjesë të SPAK. Lëri gjënjeshtrat, mos u fshi te dhoma e miellit dhe thuaj njerëzve se me çfarë morali vjen këtu”, vijoi Basha.

Pas përplasjes politike, stafetën e debatit e morën diskutimet teknike për buxhetin e 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos