Laboratori i drogës në Fier, Gjykata lë në burg të arrestuarit

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2022, 11:56 | Kronikë
Laboratori i drogës në Fier, Gjykata lë në burg të

Gjykata ka lënë në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ 15 të arrestuarit e laboratorit të drogës në Frakull të Fierit.

Operacioni për kapjen e tyre u realizua nga SPAK, në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe Policinë malazeze.

Në Frakull u zbuluan 400 kilogramë pleh kimik e përzier me kokainë. Gjithashtu, gjatë kontrolleve, u gjetën edhe armë zjarri.

Droga dyshohet se vinte nga Porti i Tivarit në Malin e Zi dhe ngarkohej për të mbërritur te laboratori, i cili u zbulua në oborrin e shtëpisë së ish-kryetarit të komunës, Viktor Çervenaku.

Operacioni u krye mbrëmjen e 24 nëntorit nën drejtimin e SPAK dhe në bashkëpunim me Policinë malazeze dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Policia tha se në operacion është angazhuar një numër i konsiderueshëm i oficerëve të policisë gjyqësore dhe të agjentëve gjyqësorë dhe kanë ekzekutuar deri më tani, për 10 shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë kryer kontrollin e 14 ambienteve, në qytete të ndryshme (Tiranë, Lushnjë dhe Fier), dhe si rezultat, janë sekuestruar: 6 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak, rreth 16 000 euro dhe 20 paleta me rreth 24 ton “pleh artificial”, brenda të cilit, ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova se gjendet një sasi prej rreth 430 kg lëndë narkotike kokainë, vlera e së cilës, referuar shitjes në tregun me pakicë, kap shifrën rreth 40 milionë euro. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/25/publikohen-pamjet-e-operacionit-u-sekuestruan-430-kg-kokaine-ne-fier/

A2 CNN Livestream

Latest Videos