
Laçi konfirmohet si një prej skuadrave pretendente të këtij sezoni. Kurbinasit mposhtën 1-0 Partizanin, me golin e Regi Lushkjes, dhjetë minuta përpara fundit të lojës.
Mesfushori e mbylli aventurën te Laçi me këtë gol të shkëlqyer. Në ndeshjen e fundit me bardhezinjtë, përpara transferimit te Sheriff Tiraspol, Lushkja mbante edhe shiritin e kapitenit.
Me suksesin e regjistruar, Laçi ngjitet në vendin e dytë të renditjes me 34 pikë, 6 më pak se Tirana kryesuese dhe tashmë krijon një distancë të vogël nga Kukësi dhe Vllaznia.
Ndeshja ndërmjet Egnatias dhe Dinamos u karakterizua nga kontestimet dhe dhuna ndaj arbitrit. Pas kartonit të kuq për Krasniqin, gjyqtari Jorgji u shndërrua në armik publik në Rrogozhinë.
Në fundin e pjesës së parë, ku Dinamo kryesonte me golin e Ibraimit, tifozët hodhën sende të forta në drejtim të gjyqtarëve.
Kjo bëri që pjesa e dytë e ndeshjes të niste me vonesë, deri sa situata në tribunë të stabilizohej. Me rifillimin e lojës, Egnatia refuzoi të dorëzohej dhe barazoi me Ilirid Ademin, me ndeshjen që përfundoi në barazim 1-1. (A2 Televizion)