
Përmbylli vizitën në Prishtinë pa dhënë një datë për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në një konferencë për shtyp, tha se ajo do të caktohet vetëm pas udhëtimit të tij në Beograd. Duke i cilësuar si spekulime të gjitha raportimet për shkëmbim territoresh, zyrtari i unionit bëri me dije se ka biseduar me kryeministrin, Avdullah Hoti, që ai të udhëheqë delegacionin e Kosovës në bisedimet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Gjithashtu, ai tregoi dhe këshillën e tij për liderët dhe partitë politike të Kosovës.
“Jam i gatshëm dhe i përkushtuar që të rifillojmë dialogun dhe t’i ndihmoj palët për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Marrëveshje e pranueshme e qëndrueshme. Në takimet e mia kam theksuar se Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog. Dialogu duhet të jetë mbi politikën”, u shpreh Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun.
Lajçak nënvizon se Bashkimi Evropian nuk mund të anashkalohet në dialogun Kosovë-Serbi pasi blloku u ofron të ardhmen evropiane të dyja vendeve.
“Kam dyshime serioze se një marrëveshje e mirë mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet pa praninë e BE-së”.
I deleguari i Brukselit për dialogun komentoi sërish takimin e 27 qershorit që pritet të mbahet në Uashington, duke theksuar se nuk ka marrë një ftesë për këtë iniciativë. Gjithashtu, ai foli edhe për liberalizimin e vizave, duke konfirmuar se Kosova meriton plotësisht që kjo të ndodhë, por në pikëpyetje është vetëm periudha kohore. (A2 Televizion)