
Kosovën e viziton sot edhe i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili me pas do të qëndrojë edhe në serbi. Zyrtari i BE-së do të përpiqet të nxisë zbutjen e tensioneve në veriun e Kosovës dhe të bindë palët të rikthehen në tryezën e dialogut.
Në Prishtinë është konfirmuar se Lajçak do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, pasditen e së martës. Sakaq, ende nuk ka një konfirmim për takimin e mundshëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Është pjesë përbërëse e punës së të dërguarit të posaçëm që të udhëtojë për t’u takuar me partnerët në terren”, tha një ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar vizitën e Lajçakut.
Blloku evropian i ka paraqitur disa kërkesa Kosovës sa i përket situatës në veri. Brukseli po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë nga ndërtesat komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë.
Po ashtu, BE-ja kërkon shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kërkesave, BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. (A2 Televizion)