Lamtumirë Bujar Nishani! Ish-presidenti përcillet për në banesën e fundit

Nga A2 CNN
2 Qershor 2022, 16:10 | Aktualitet
Lamtumirë Bujar Nishani! Ish-presidenti përcillet për në

Flamuri Kombëtar ishte ulur në gjysmështizë këtë të enjte, ditë zie për të gjithë vendin në nder të ish-presidentit Bujar Nishani. Krerët më të lartë të shtetit dhe politikës, përfaqësues të trupës diplomatike dhe personalitete të larta shtetërore të rajonit, nderuan për herë të fundit atë që e cilësuan si burrin e urtë që i shërbeu vendit me përkushtim.

Ceremoninë shtetërore të homazheve e hapi presidenti Ilir Meta, i cili kishte përgatitur edhe një fjalim lamtumire në nder të paraardhësit të tij në detyrë.

“Ai mishëroi integritetin, ndjenjën e lartë të detyrës dhe patriotizmin. Bujar Nishani e shihte politikën si artin e së mundshmes”, tha Meta.

Bujar Nishani është i pari President i zgjedhur në pluralizëm që ndahet nga jeta, dhe paraardhësit e tij në zyrën me të lartë të shtetit, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi nuk munguan ta nderonin.

“Ka qenë një president i mirë, një njeri i përkushtuar për detyrën që luftoi për të zbatuar kushtetutën”, u shpreh Moisiu.

“Shpreh ngushëllimet për familjen dhe i lehtë i qoftë dheu! U prehtë në paqe!, tha Topi.

E pranishme në ceremoni ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që preferoi të mos ndalej me median, si dhe ish-kryetari i këtij shteti, Fatmir Sejdiu.

“Një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, por për të gjithë kombin shqiptar”, deklaroi Sejdiu.

Nga Maqedonia e Veriut ishte zv.kryeministri i parë Artan Grubi, si dhe politikanët Ali Ahmeti dhe Zijadin Sela.

Ndërsa opozita dhe mazhoranca në Shqipëri lanë pas ndasitë për një ditë.

“Burri që lëshonte vetëm mesazhe paqeje dhe mirësie”, tha Alibeaj.

“Diti të tregojë disa herë me radhë respektin ndaj kushtetutës", u shpreh Balla.

I mbështjellë me flamurin kombëtar, arkëmorti me trupin e pajetë të ish-kreut të shtetit, Bujar Nishani, doli nga Presidenca në orën 12:00, aty ku u mbajt edhe 1 minutë heshtje.

Familjarët, miqtë dhe personalitetet shtetërore e shoqëruan në këmbë deri në fund të bulevardit, nga ku u nis për në varrezat e Sharrës. 

Këtu lamtumirën ia dha Sali Berisha, një prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nuk i mbajti dot lotët.

“Vendi humbi shtetarin e mirë, ndërsa familja njeriun e dashur”, tha Berisha.

“Zoti mori një ëngjëll, lamtumire baba, të qoftë dheu i lehtë”, u shpreh i biri i tij.

Bujar Nishani u nda nga jeta të shtunën e 28 majit, pa mbushur ende 56 vjeç, pas komplikacioneve të shkaktuara nga Covid. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos