Lamtumirë nga një iPad, pikëllimi në SHBA për 100 mijë jetë të humbura

Nga A2 CNN
30 Maj 2020, 14:31 | Bota

Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën një rekord tepër të zymtë, teksa bilanci i viktimave nga koronavirusi i tejkaloi 100 mijë mes përpjekjes globale për të frenuar virusin dhe për të gjetur një vaksinë efikase. Humbjet më të mëdha të jetëve njerëzore u regjistruan në zonat urbane, veçanërisht në Nju Jork, me të moshuarit dhe minoritet ndër më të prekurit.

Në vijën e parë të betejës kundër pandemisë koronavirus, infermierët dhe mjekët po kujdesen për të gjallët. Por ka edhe një vijë tjetër të parë, e cila është ajo e atyre që kujdesen për të vdekurit. Shtëpitë funerale në Nju Jork janë kaotike dhe të tejmbushuara. Mund të duhen disa javë para se trupat e pajetë të balsamosen ose varrosen. Shumica e pacientëve të prekur nga Covid-19 vdesin vetëm, dhe kur ata humbin jetën, familjarët e tyre duhet të karantinohen pasi t’u thonë lamtumirën e fundit.

Për punonjësit e shëndetësisë ai pikëllim mund të jetë dërrmues. Turnet janë të gjatë dhe skenat janë tepër të trishta brenda një spitali në Meriland ku infermierët dhe mjekët kanë trajtuar pacientë me koronavirus me javë të tëra, në pamundësi për të lënë familjen brenda për të vizituar të dashurit në shtretërit e tyre të vdekjes. Infermierja Tiffany Fare tregon dhe një nga momentet më të vështira të punës së saj. “Një nga momentet më të vështira ishte kur pashë anëtarët e një familjeje t’i thoshin lamtumirë të afërmit të tyre me një iPad disa dhoma më tutje”.

Dr. Erick Eiting, drejtori mjekësor i departamentit të urgjencës në “Mount Sinai Beth Izrael” në Nju Jork, ka qenë në qendër të emergjencës duke ndihmuar pacientët, moshat e të cilëve variojnë nga 20 deri në 80 vjeç. Gjithashtu duke zbuluar simptoma të reja dhe trajtime evolucionare. Ai tha se politika e vizitorëve në spital u ndryshua kohët e fundit në mënyrë që pacientët me koronavirusin e ri, që i afroheshin fundit të jetës së tyre, të mos vdesin vetëm. “Pjesa më tragjike e kësaj sëmundje, është sepse është kaq ngjitëse, saqë njerëzit përfundojnë duke vdekur të vetëm”, thotë Eiting.

Teksa trupat e pajetë dalin nga spitali, 28-vjeçarja, Alix Monteleone, i vëzhgon me trishtim nga dritarja e apartamentit të saj në Broklin. “Ne e shikojmë këtë skenë dhe kjo është tepër serioze”, tregon ajo.

Kamionët frigoriferikë janë vendosur në të gjithë qytetin për të ruajtur trupat e pajetë. “Kjo është shumë reale. Ne kemi parë kaq shumë kaos jashtë spitalit se nuk mund të imagjinojmë sa rëndë është situata Brenda. Ndaluam së numëruari viktimat që dilnin jashtë”.

Pikërisht në atë periudhë, Trump paralajmëroi lehtësimin pas vështirësisë. “Do të kemi një javë të ashpër. Mbase do të zgjasë më shumë se një javë. Por ka dritë në fund të tunelit”.

Të dhënat paraprake nga SHBA tregojnë se afro-amerikanët kanë më shumë gjasa që të vdesin nga Covid-19, duke theksuar diferencat e mëdha në shëndetësi dhe pabarazitë në akses në qendrat e përkujdesjes shëndetësore, thonë ekspertët. Jo të gjitha shtetet kanë publikuar të dhëna demografike për të treguar bilancin e viktimave në grupe të ndryshme racore. Në Luiziana, më shumë se gjysma e atyre që humbën jetën ishin afro-amerikanë, një përqindjeje më e lartë se popullata me ngjyrë në këtë shtet. Gary Harrel njihte 10 prej tyre.

Në Nju Jork, zyrtarët kanë kontraktuar punonjës për të varrosur viktima në Ishullin Hart, ndërsa bilanci i jetëve të humbura nga koronavirusi pandemik prek një rekord tepër të zymtë. Qyteti ka përdorur këtë ishull për të varrosur banorët që nuk kishin asnjë të afërm ose të ndjerët, familja e të cilëve nuk ishte në gjendje të paguante një funeral në shekullin e 19-të. Zakonisht, rreth 25 të vdekur varrosen çdo javë nga të burgosurit me pagë të ulët që punojnë në ishull, i cili ndodhet në bregun lindor të rrethit të Bronksit dhe është i arritshëm vetëm me anije. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos