
Politologu Adri Nurellari, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, komentoi nismën “Open Balkan”, duke theksuar se e gjithë zhurma rreth kësaj nisme “lidhet me çështje politike dhe me hatërmbetje personale më shumë sesa me atë që përmban konkretisht”.
“Nuk shikoj ndonjë dramë te kjo nismë. Për ta ilustruar më mirë, Minishengeni kishte idenë e lëvizjes me karta identiteti në rajon. Kosova e ka lëvizjen e lirë me vendet fqinje dhe udhëtojnë me karta identiteti të lirë. Pra, mendoj se zhurma e madhe lidhet me çështje politike dhe me hatërmbetje personale më shumë sesa me atë që përmban konkretisht nisma “Open Balkan”, tha Nurellari.
Kur u pyet nëse Serbia po arrin qëllimin e daljes së saj në det me këtë nismë, Nurellari tha: “Aspirata e vendit tonë është që të hyjë në BE dhe nëse futesh aty, je me të gjithë. Kam dëgjuar edhe se ekonomia më e madhe, që në këtë rast është Serbia, përfiton më shumë. Ky është argument naiv sepse i bie që kemi bërë përpjekje të kota në Kosovë për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. BE-ja është blloku më i madh ekonomik në botë, i bie që Kosova ka bërë gabim që bën marrëveshje me BE-në. Është e provuar që tregtia e lirë ndërkombëtare ka impakt pozitiv në rritjen e mirëqenies”. (A2 Televizion)