
Kryeministrja britanike i kërkoi zyrtarisht Bashkimit Evropian që të pranojë shtyrjen e Brexit deri më 30 qershor. Në një letër dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, ajo thekson se kjo periudhë do të shërbejë për të përgatitur terrenin për mbajtjen e një votimit të tretë për ujdinë e saj.
May duke folur në Dhomën e Komunëve njoftoi deputetët për letrën e saj, si dhe bëri thirrje që të shmanget pjesëmarrja e Britanisë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
“Qeveria synon të çojë përpara një votim të tretë, nëse ky votim do të kalojë, shtyrja do t’i japë kohë parlamentit që të shqyrtojë Legjislacionin e Marrëveshjes së Largimit. Nëse ujdia nuk miratohet, Dhoma e Komunëve do të vendosë se si do të procedohet. Si kryeministre nuk jam e përgatitur ta shtyj Brexit përtej 30 qershorit”, deklaroi May.
May në letrën e saj shkruan se kishte për qëllim të mbante një votim për ujdinë e saj brenda kësaj jave, por një gjë e tillë u bllokua nga kryetari i parlamentit, John Bercow. Ndaj kryeministres reagoi lideri i opozitës laburiste, Jeremy Corbyn, i cili theksoi se vendi po kalon një krizë kombëtare.
Ndërkaq, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, nuk beson që brenda kësaj jave të merret një vendim për shtyrjen e Brexit. “Ne kemi nevojë për qartësi dhe përgjigja duhet të vijë nga Londra. Ne duhet të biem dakord. Por nuk do të ketë rinegociata dhe garanci shtesë nga ato që janë dhënë deri më tani”, nënvizoi Juncker.
Pas divitësh e gjysmë negociata, largimi i Britanisë nga BE mbetet ende shumë i paqartë me opsione që përfshijnë një shtyrje të gjatë, Brexit me ujdinë e May, një largim kaotik pa ujdi si dhe mbajtjen e një referendumi të ri. (A2 Televizion)