Karriera e Erald Çinarit do të jetë larg Shqipërisë. Sulmuesi i Partizanit pas 3 vitesh largohet nga “demat e kuq” dhe kërkon fatin e tij në Turqi.
Klubi i Samsunsporit ka zyrtarizuar sot blerjen e saj të fundit, pikërisht Çinarin, me të cilin kanë rënë dakord për një kontratë 3-vjeçare me të drejtë rinovimi.
Ekipi arriti vendin e tretë në ligën e dytë turke gjatë sezonit, dhe pretendon ringritjen në SuperLig.

Më parë përmes një postimi në Instagram, sulmuesi kishte përshëndetur ish-klubin dhe tifozët kryeqytetas.
“Sot ishte një ditë që solli një kapitull të ri në karrierën time futbollistike. Nga dita e sotme, unë nuk do jem më pjesë e klubit të futbollit Partizani. Kontrata ime me klubin përfundoi në fund të këtij sezoni dhe unë tashmë jam duke përgatitur një aventurë të re.
Falënderoj të gjithë në familjen Partizani, duke filluar nga presidenti e drejtori që më kanë qëndruar afër si në momente pozitive e po ashtu negative. Trajnerët me të cilët kam punuar këto 3 vite. E po ashtu shokët e skuadrës, si edhe gjithë stafin që punon tek kjo familje. Një falënderim special shkon për tifozët e kuq e sidomos Ultras Guerrils. Ishin 3 vite të mrekullueshme ku edhe fitova trofe”, shkruan Çinari. (A2 Televizion)