
Ahmet Lila, ose usta Meti siç e njohin durrsakët është nga artizanët e rrallë që pavarësisht viteve, nuk ndalet se punuari pasionin e tij. I frymëzuar nga deti, usta Meti është mjeshtri i punimit në dru të anijeve klasike por jo vetëm.
Gjithçka që të sheh syri artizani e gdhend në dru, siç është duke bërë edhe xhaminë e Durrësit në muajin e shenjtë të Ramazanit. Tani që po i afrohet të 80–ve, ai kujton sikur të ishte dje fillesat e tij në këtë zanat, që ka mbi 60 vite që e bën.
Me ndryshimin e sistemit, punimet e usta Metit po preferoheshin shume jashtë kufijve të vendit, duke numëruar qindra punime që kanë shkuar nga Italia në Greqi, Amerikë e Gjermani. Vitet e punës në këtë zanat i kanë dhënë të kuptoj që shqiptarët që jetojnë në Shqipëri nuk janë shumë të interesuar pas këtyre punimeve.
Pasioni dhe dashuria e usta Metit për këtë zanat, nuk ka mjaftuar që fëmijët apo nipërit e tij ta trashëgonin dhe të vijonin këtë traditë. Dhe bashkë me rënien e interesit për punime të tilla, duket se qyteti i Durrësit po venit edhe një artizan, që njihet ndërkombëtarisht.
Por ustai premton se sa të ketë frymë, njerëzit do ta shohin tek dera e studios së tij modeste duke punuar dhe i dhënë jetë copave të drurit. (A2 Televizion)