
Në konferencën e përbashkët mes kryeministrit dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, një pyetje që ju bë kryeministrit kishte lidhje me legalizimin e kanabisit. Në shumë raste nga politikanë të opozitës është artikuluar se, pikërisht lejimi i kanabisit në periudha zgjedhore, ka qenë një nga problemet.
Kjo çështje u komentua në A2 nga Analisti Afrim Krasniqi, i cili theksoi se kërkohet më shumë transparencë dhe konsensus i gjerë.
Krasniqi thekson se nëse nisma do të ishte në fillim të mandatit të dytë të qeverisë “Rama”, ndoshta do të ishte një debat serioz, por e marrë në prag të zgjedhjeve, gjithmonë është e paragjykuar.
“Janë dy konferenca të veçanta të bëra këtë vit. Një është bërë me ambasadoren e SHBA-ve dhe menjëherë pas takimit u shpall nisma e KÇK-së. Ambasada u detyrua për 20 minuta të sqarojë publikun që nuk e ka diskutuar në takim këtë gjë. E njëjta gjë ndodhi edhe tani me ambasadorin e BE-së, Soreca. U bë një konferencë shtypi u dha një njoftim dhe ambasadori u detyrua pas pak minutash të sqarojë se nuk është konsultuar mbi këtë gjë. Kjo është një nga enigmat e mëdha të kësaj problematike. Së dyti, PS në opozitë dhe kur ka ardhur në pushtet në vitin 2013, ka premtuar zero tolerancë për lëndët narkotike. Është interesante për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në këtë parti që e kalon në çështje prioritare legalizimin e kanabisit në prag të fushatës së ardhshme elektorale. Kjo është një tjetër dilemë. Së treti, kjo lidhet me këtë që quhet ‘konsultim me ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm’. Në rrethet diplomatike në Tiranë ka një debat të madh ditët e fundit për të parë se më kë është konsultuar qeveria shqiptare dhe rezulton se asnjë nga diplomatët perëndimore nuk është pjesë e konsultimeve, nuk ka pasur informacion, nuk është pyetur dhe nuk ka dhënë opinion, derisa nuk është pyetur. Ka pasur një shqetësim të madh edhe në kancelaritë që mbulojnë Shqipërinë për të kuptuar se cila është kjo lojë dhe çfarë ndodh pas saj.
Duhet të ketë një konsensus shumë më të gjerë dhe një transparencë më të madhe, për të parë nëse kjo vërtetë lidhet me kalkulime elektorale dhe kalkulime, ndoshta, edhe kriminale në vend apo lidhet me nevoja të një shteti serioz, në një moment tjetër. Nëse nisma do të ishte në fillim të mandatit të dytë, ndoshta do të ishte një debat serioz, por e marrë në prag të zgjedhjeve, gjithmonë është e paragjykuar dhe është në funksion të zgjedhjeve”, u shpreh Afrim Krasniqi. (A2 Televizion)