
Disa nga emrat më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare bashkuan forcat për të nderuar punonjësit e shëndetësisë në një spektakël global. Lady Gaga, Paul McCartney, Beyonce dhe Billie Eilish ishin mes më shumë se 100 artistëve që performuan këngë të ndryshme nga shtëpitë e tyre, ndërsa nuk munguan dhe historitë personale.
Lady Gaga, Taylor Swift, Rolling Stones, Beyonce, Oprah Winfrey e shumë emra të tjerë të skenave ndërkombëtare drejtuan një event special muzike, komedie dhe historish personale në nder të atyre që janë në vijën e parë të luftës kundër pandemisë koronavirus në të gjithë botën. Spektakli që zgjati disa orë, i quajtur “Një botë: Së bashku në Shtëpi”, u transmetua drejtpërdrejt në shumë kanale televizive në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. Eventi bëri bashkë, numrin më të lartë të personazheve të njohura, të cilët shënuan efektet e virusit në shoqëri. Kontribute të veçanta, të gjitha të filmuara në shtëpitë e tyre, erdhën nga Elton John, Jennifer Lopez, Stevie Wonder, David Beckham, ish-zonjat e para amerikane Michelle Obama dhe Laura Bush, Andrea Bocelli, Celine Dion, Billie Eilish, Bill Gates dhe shumë të tjerë.
“Jam shumë falënderuese ndaj punonjësve të shëndetësisë, mjekëve, punonjësve të ushqimoreve dhe shpërndarësve, postierëve dhe të gjithë organizatave të tjera jofitimprurëse që po punojmë kaq shumë. Kjo është me të vërtetë një letër dashurie për të gjithë ju në të gjithë botën”, tha Lady Gaga, organizatore e eventit.
Eventi i drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe grupi jofitimprurës Qytetari Global, shfaqi histori personale të mësuesve, mjekëve, shitësve, postierëve e shumë personazheve të tjerë që po ndihmojnë njerëzit në këtë periudhë të vështirë. Gjithashtu shfaqi postime në rrjetet social ku qytetarë nga e gjithë bota, duartrokisnin doktorët dhe infermierët, natyrisht nga ballkoni i banesave të tyre.
“Ne nuk po u kërkojmë para sonte”, tha Stephen Colbert, i cili drejtoi një transmetim të përbashkët me rivalët e tij televizivë, Jimmy Kimmel dhe Jimmy Fallon. Në vend që të kërkonte fonde publike, eventi nxiti filantropistët dhe kompanitë e ndryshme që të kontribuonin në Fondin e OBSH-së për Covid-19, “Kundërpërgjigja Solidare”. Sipas organizatorëve, spektakli grumbulloi 150 milionë dollarë.
Beyonce nuk performoi, por dërgoi një videomesazh duke nënvizuar nivelin e lartë të viktimave nga Covid-19 në komunitetin afro-amerikan. “Virusi po vret njerëzit me ngjyrë në një nivel alarmues në Amerikë”, tha këngëtarja, e cila kërkoi që të bëjnë më shumë kujdes.
Taylor Swift në piano, dha një performancë tepër emocionale të baladës së saj “Soon You’ll Get Better”, të cilën e ka shkruar gjatë betejës së mamasë së saj me kancerin. The Rolling Stones, xhiruan në 4 lokacione të ndryshme, duke kënduar “You Can’t Always Get What You Want”, me Mick Jagger dhe Keith Richards që luajtën në kitarë akustike.
“Ne gjithmonë vlerësojmë punonjësit e shëndetësisë, por asnjëherë si tani”, tha Opera Winfrey në një videomesazh duke kërkuar nga qeveritë që të bëjnë me shumë në garantimin e pajisjeve mbrojtëse. Stivi Wonder luajti këngën “Lean on Me” të Bill Wither, ndërsa McCartney, këndoi “Lady Madonna”, duke nderuar dhe mamanë e tij, e cila ka qenë infermiere.
Pjesë e këtij spektakli ishin dhe muzikantë të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azia dhe Lindja e Mesme. Thirrja e të gjithë personazheve të njohur ishte e njëjtë: Qëndroni në shtëpi, lani duart vazhdimisht, ruani distancën sociale dhe shtetet të rrisin nivelin e testimeve të popullatës për koronavirus. (A2 Televizion)