
Gjykata e Tiranës i ka dhënë “dritë jeshile” kërkesës së autoriteteve holandeze të drejtësisë për të hetuar në Shqipëri mbi një krim monstruoz të ndodhur në Amsterdam në vitin 2011.
Hetimi ka si qëllim identifikimin e autorit të një grabitje të dhunshme në banesën ndaj një 85 -vjeçareje. Përveçse ka tentuar të vrasë të moshuarën Hendrika Schellenberg, grabitësi e ka dhunuar seksualisht dhe fizikisht atë, duke i thyer një brinjë, dëmtime që i kanë shkaktuar vdekjen pas disa muajsh.
Në deklarime e saj e moshuara ka rrëfyer se agresori ishte një burrë me ngjyrë. Sipas letërporosisë, hetuesit e Amsterdamit kanë gjetur njolla gjaku të tij në banesën e të moshuarës, nga e cila kanë përfituar një profil të plotë ADN-je.
Referuar veçorive të profilit gjenetik, ekspertët holandezë vlerësojnë se i dyshuari ose prindërit e tij kanë orgjinë nga Europa Perëndimore ose rajoni kufitar midis Evropës Perëndimore dhe Azisë. Për këtë shkak, pala holandeze kërkon nga drejtësia shqiptare të bëjë një krahasim të këtij profili gjenetik me profilet e individëve të regjistruara në bazën e të dhënave ADN të Republikës së Shqipërisë.
Nëse ky krahasim përputhet me ndonjë nga profilet, holandezët luten të informohen për identitetin dhe vendndodhjen e mundshme të personit. Pasi ka pranuar letërporosinë, gjyqtari Erjon Bani ka autorizuar Prokurorinë e Tiranës për zbatimin e kërkesave të paraqitura në të. (A2 Televizion)