Qeveria po has vështirësi për të marrë borxh dhe po e merr atë me interesa më të larta. Rezultatet e ankandeve të fundit të zhvilluara nga Banka e Shqipërisë për llogari të Ministrisë së Financave, tregojnë se interesi i investitorëve për të blerë letra me vlerë ka rënë ndjeshëm.
Konkretisht, në ankandin e fundit për obligacione 3-vjeçare, u kërkuan 3.5 miliardë lekë por u ofruan vetëm 2.7, në ankandin 2-vjeçar në euro kërkesa ishte për 12 miliardë lekë por u ofruan 9.5, ndërsa në ankandin për tituj 10-vjeçar kërkesa ishte për 4.5 miliardë lekë, por u ofruan më pak se 1.8 miliardë.

Ky interes i ulët për letra me vlerë lidhet me kërkesat e investitorëve për kthime më të larta të investimit, që do të thotë se presin interesa më të larta në të ardhmen.
Për qeverinë, kjo është përkthyer në një huamarrje të re më të shtrenjtë, ku për bonot 12-mujore, interesi është rritur prej fillimit të vitit nga 1.57%, në 2.22% në ankandin e fundit. Kjo rritje e interesave vihet re për të gjithë instrumentet e tjerë me afate të ndryshme maturimi.

Me interes do të shihet në muajin Maj rihapja e ankandit për obligacione 15-vjeçare me vlerë 2 miliardë lekë. Ky është një instrument i ri dhe borxhi më afatgjatë i emetuar ndonjëherë nga qeveria, duke prodhuar edhe interesa të larta mesatarisht 5.84%, që mund të rezultojnë shumë tërheqëse. (A2 Televizion)