Demokratët janë të ndërgjegjshëm se me gjithë garancitë e fituara në negociata, reforma zgjedhore nuk i siguron për gjithçka, aq më tepër vullnetin politik për zgjedhje të lira nga socialistët, përgjegjësia e të cilëve sipas Gazmend Bardhit ndodhet tek dosjet e famshme 184 e 339
“Sot shitblerja e votës është krim që dënohet me burg, por nuk ka rezultat dhe nuk është çështje e mungesës së ligjit, por vullnetit”, u shpreh sekretari i PD.
E ndërsa pritet finalizimi i reformës konsensuale zgjedhore, Partia Demokratike konstaton se kryeminisri Edi Rama po bën çmos që të ndalojë daljen e bashkuar të opozitës në zgjedhje, duke përdorur të vegjlit e Parlamentit.
"Ajo që kemi synuar është që të japim ndihmesën tonë për kapërcimin e një prej 15 kushteve. Nuk ka vullnet të keq të Edi Ramës që mund të ndalojë rotacionin politik, jemi shumica absolute në vend”, tha Bardhi.
Në frymën e zgjerimit të koalicionit opozitar, demokratët nuk përjashtojnë as “Nismën Thurje”, e cila nuk ka përjashtuar mundësinë për t’u bërë subjekt partiak.
“Jemi të hapur për të bashkëpunuar me çdo faktor të shoqërisë civile dhe jo vetëm, që ndajnë parime të njëjta me ne dhe betejë të njëjtë me ne apo qëllim për të demokratizuar më tej jetën publike e politike”, shtoi ai.
Ajo çfarë “Thurja” nuk mund të kushtëzojë është sistemi zgjedhor
‘’Duhet të jenë qytetarët që me referendum të përcaktojnë sistemin zgjedhor”.
Demokratët besojnë se po i japin zgjidhje çështjes së listës së kandidatëve që vulos kryetari si kritika më kryesore e sistemit aktual, duke shpërndarë përgjegjësinë në forumet drejtuese dhe duke deleguar peshën kryesore tek vota e anëtarësisë sipas modelit britanik.
“Kryetari ka përgjegjësi, por çdo sistem ka rolin e strukturave. Por ajo që bëjmë është që vendosim një kufizim mbi këtë rol aktiv duke e kalura pushtetin e organeve të zgjedhura tek ata që na kanë zgjedhur”, sqaroi sekretari i përgjithshëm i PD.
Genc Ruli do të angazhohet, por Bardhi mohoi emërimin e tij si kryetar të komisionit të vlerësimit të kandidatëve, komision që do të përcaktohet nga kryesia deri më 25 korrik e që gjithsesi statura e Rulit i qëndron.
“Në momentin që flasim nuk ka asnjë anëtar të emëruar apo caktuar në krye të këtij komisioni, është kandidaturë e vlefshme për të dhënë kontribute për shumë pozicione”, përfundoi Gazmend Bardhi. (A2 Televizion)