Deputeti i pavarur Ralf Gjoni, në studion e “Dita jonë” në A2, komentoi konfliktin mes tij dhe Halit Valterit, ditën e djeshme në sallën e Kuvendit.
“Ishte një shkarje momentale e arsyes. Siç shikohet nga pamjet, unë jam i ulur dhe nuk e kuptova se çfarë ndodhi. Kam përshtypjen se e ka pasur me dikë tjetër dhe unë u ndodha aty. Parlamenti është një vend i “nxehtë” në këto momente, pasi po flitet për diçka të rëndësishme si ndryshimi i sistemit zgjedhor”, tha Gjoni.
Më tej, deputeti foli mbi rëndësinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor: “Unë dje theksova se pa sistem politik të reformuar nuk do të ketë sistem drejtësie funksional në këtë vend. Unë jam kundër ndryshimeve kushtetuese që nuk prekin thelbin: ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave. Për ndryshimin e sistemit mund të ndërhyhet në Kod Zgjedhor, pa ndryshime kushtetuese”.
Kur u pyet nëse do të jetë pjesë e garës në zgjedhjet e ardhshme pa ndryshimin e sistemit, Gjoni u përgjigj: “Unë do të garoj me lista të mbyllura apo të hapura, por mendoj se gara do të ishte më e ndershme nëse do të arrinim të ndryshonim rregullat e lojës dhe t’i afroheshim standardeve evropiane. Nëse nuk depolitizohet administrata, nëse qytetarët nuk ndihen të sigurt që të shkojnë në kutitë e votimit, do të shohim bojkot masiv në zgjedhjet e ardhshme. Por, unë do të garoj, se si dhe në çfarë forme, nuk mund të përgjigjem ende”. (A2 Televizion)