
Nëse dhjetë vite më parë ishte një ngjarje e rëndësishme mbërritja e një autori të huaj në Panairin e Tiranës, tanimë shtëpitë botuese me gati 30 vite eksperiencë nuk janë aspak larg përvojave në botë, ku autori, vepra e të cilit është përkthyer, të jetë i pranishëm në takimet me përkthyesin, por edhe lexuesin.
Këtë stinë të ftohtë, madje edhe në kushtet kur lëvizja është disi e vështirë për shkak të pandemisë, Toena fton në Tiranë tre autorë, veprat e të cilëve pasurojnë edhe stendën në panair. I pari që do t’ju prezantojmë është Nicola Lagioia, një autor që ka filluar të shkruajë zyrtarisht 20 vite më parë. Të paktën në vitin 2001 debuton me romanin e tij të parë me titullin “Tre sisteme për të hequr qafe Tolstoin”. E që nga ai moment, Lagioia bëhet një nga autorët më të vlerësuar të dekadës së tij. Çmimin më të rëndësishëm letrar në Itali e merr në vitin 2015, me romanin “Egërsia”, që nga ky nëntor është edhe në shqip.
Pikërisht për të prezantuar këtë vepër vjen edhe në Tiranë.
-Mirëseerdhët në Shqipëri. Si ju kemi pritur?
-Mirë, shumë mirë. Mikpritja juaj është diçka e njohur për mua. Nuk është hera e parë që vij në Shqipëri, në Tiranë, por është hera e parë që vij të prezantoj një libër timin. Pastaj panairi, atmosfera, takimet, janë një përvojë e bukur. E di që Covid-19 na ka ndryshuar jetën e pikërisht për këtë, takimet me lexuesin janë edhe më të bukura. Është një mrekulli të vish, të takosh edhe shkrimtarë të tjerë, botues, gazetarë, të flasësh jo vetëm për librin tënd është gjithmonë e bukur. Të mos harroj të them që unë jam nga Bari, dhe ndonëse jetoj në Romë, nuk e kam harruar sa afër jemi me Shqipërinë. E kam parë gjithnjë afër, aty në bregun tjetër dhe për mua rikthimi në Shqipëri nuk më gjen si një të huaj. Kam miq e shokë, e kam parë gjithmonë si di֛çka të afërt përtej bregut dhe të them të drejtën nuk ndihem i huaj kur vij këtu, ndihem si në shtëpi.
-Ky është libri i parë që vjen i përkthyer në shqip. Si ndiheni kur prezantoheni pikërisht me këtë te lexuesi shqiptar. Ju keni shkruar edhe romane të tjerë, por La Strega dhe Egërsia duket se ka joshur më shumë përkthyesin dhe botuesin.
-Jam i lumtur që ky është libri i parë që publikohet në gjuhën shqipe, sepse për “Egërsinë” jam vlerësuar edhe me çmim, çka e bën të rëndësishëm si eksperiencë në historinë time si shkrimtar. Dhe është mirë të prezantohem me një vepër që është vlerësuar, por do të doja padiskutim që edhe veprat e tjera të përkthehen në shqip. Sepse edhe për mua është mirë që të konsolidohem si shkrimtar në Shqipëri. Kështu, vij edhe më shpesh këtu.
-Pas vlerësimit me çmim, me siguri romani “Egërsia” mori një hov përkthimi në disa gjuhë të botës…
-Po, romani u përkthye shpejt në anglisht, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkuar, çka do të thotë se është në duar të shumë lexuesve.
-Është përkthyer edhe në një gjuhë të vogël si shqipja. Çfarë do të thotë kjo për ju dhe çfarë mund të na thoni për marrëdhënien e autorit me përkthyesin?
-Duhet të pyesni edhe Erion Gjatollin për këtë sepse ai e ka përkthyer. Por, marrëdhënia ime me përkthyesin ka qenë fantastike. Mësova që në fillim që ai kishte përkthyer në shqip disa vepra të rëndësishme letrare dhe nuk pata aspak dyshime. E rëndësishme është që autori t’i njohë mirë gjuhët dhe ta dojë letërsinë, të ketë njohuri nga letërsia. Dhe Erioni është një nga ata që e njeh mirë letërsinë italiane.
Romani i tij Egërsia rrëfen historinë e një familjeje ndërtuesish që mplekset me lidhje të dyshimta me politikën, krimin e organizuar dhe sistemin gjyqësor. Ngjarja merr rrjedhë kur pranë një parkingu shumëkatësh, do të zbulohet se Klara Salvemini, vajza e madhe e ndërtuesit më të fuqishëm të zonës, do të gjendet e pajetë. Të gjithë mendojnë se ka vrarë veten, por shpejt do të artikulohen edhe pyetje si çfarë e lidhte Klarën me biznesin e të atit, a ka mundësi që marrëdhënia me tre vëllezërit, e veçanërisht me Mikelin rebel, të ketë pasur rol në vdekjen e saj, tensionet e familjes sa mund të kenë ndikuar në këtë vrasje e shumë të tjera.
Përmes hetimit të kësaj ngjarjeje, që zhvillohet në vilat e periferive të pasura të Barit, Lagioia sjell shtetin e korruptuar apo drejtësinë e kapur, që jo pak herë janë edhe tema të aktualitetit tonë.
“Është një histori tragjike që merr jetë në Bari, një roman social, familjar, sentimental herë pas here. Një histori që tregon për familje të pasura që mund të korruptojnë një sistem të dobët, por që rrënohet lehtësisht nga brezi i dytë i atyre që nuk e kanë ndërtuar perandorinë apo pasurinë. Në këtë roman tregohet rrënimi i një familjeje të pasur që mund të humbasë gjithçka shpejt, një familje që edhe pse ka shumë para, ka konflikte njëlloj si në të gjitha familjet e tjera. Unë besoj që pikërisht këto gjëra të prekshme nga lexuesi, sociale, familjare dhe sentimentale e kanë bërë të suksesshëm romanin dhe padiskutim për stilin apo mënyrën e të shkruarit mund të kuptoj se edhe kritika e ka vlerësuar”, tregon autori italian.
Në vitin 2010 është cilësuar si një nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë nën moshën 40-vjeçare. Ka qenë anëtar jurie në Festivalin e Venecias dhe drejtor programacioni në Panairin e Torinos, çka në këtë panair të nëntorit ishte një përvojë e bukur komunikimi edhe për vetë botuesit që lëvrojnë dije nga Tirana. Si një prej shkrimtarëve më të pëlqyer italianë, e pritën edhe në Tiranë.
Ndonëse jo fizikisht, autorja greke aq shumë e botuar, Margarita Liberaki, i lë vendin një tjetër shkrimtareje po nga ato anë. Por, ai që do të prezantohet në stendë është një roman me prapavijë historike. Dhe për ta prezantuar ka mbërritur në Tiranë vetë autorja.
Por, këta shkrimtarë nuk do të mund të takoheshin kaq lehtësisht me lexuesit e tyre pa përkthyesit. Ndodhte rrallë, por këto vite gjithnjë e më shpesh, roli i përkthyesit po vlerësohet. Kështu, u duartokitën në stendën e Toenës të gjithë ata që si autorë të dytë të një vepre përcjellin një kulturë te një tjetër. (A2 Televizion)