
Ministria e Mbrojtjes njofton se po ndjek me seriozitet situatën e krijuar si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të fundit. Forcat e Armatosura Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako dhe Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjigjes Emergjente Robert Hysenllari janë angazhuar në terren në zonat me rrezikshmëri.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh për median se situata është emergjente në zona të caktuara në veri dhe jug të vendit.
“Dëmi është shumë më i vogël se në vitin 2017, për shkak edhe të ndërhyrjes që kemi bërë në këto vite, ku kemi krijuar një argjinaturë. Kjo ndërhyrje ka bërë që të lumi të mos dalë nga Darëzeza, duke mbrojtur shumë toka nga përmbytjet. Kemi bërë disa evakuime, kemi vepruar në kohë, kemi pasur bashkëpunim edhe nga banorët. I kuptoj emocionet e banorëve në këto situata, por ne kemi 10 ditë që njoftojmë për parashikimin. Prej 10 ditësh kemi ngritur shtabet e emergjencave”, tha ministri Peleshi.
Sipas tij, rritja e nivelit të ujit tek Ura e Mifolit është më e madhja e parë ndonjëherë. “ Nga veriu në jug kemi situata emergjence, në jug është më masive për shkak të përmbytjes, por edhe në veri, si në Theth, kemi një bllokim rrugësh apo akse, ku kalohet me vështirësi, edhe disa fshatra po përjetojnë mungesën e energjisë elektrike”, u shpreh ministri Peleshi.
Në qarkun e Gjirokastrës të gjithë rrugët kombëtare janë lehtësisht të kalueshme. Po punohet me një borëpastruese në aksin Erind - Çajup. Ndërsa në përgjithësi të gjitha tokat e përmbytura kanë kulluar dhe niveli i ujit në shtratin e lumit Drino ka një ulje prej 30 cm dhe ndodhet brenda shtratit të tij, njofton ministria e Mbrojtjes sipas së cilës, bazuar edhe në parashikimet e motit nga IGJEUM tha se pritet që në orët në vijim të kemi përmirësim dhe pritet veçanërisht tërheqja në zonë pranë urës së Mifolit. (A2 Televizion)