
Për herë të parë, grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian do të ketë në rend të ditës diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Presidenca Çeke e BE-së, në letrat që u ka dërguar shteteve anëtare, ka thënë se dëshiron që në këtë takim të shohë nëse ekziston mbështetja për të lëvizur drejt vendimit për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.
Delegacionet që marrin pjesë në këtë diskutim, i cili është i mbyllur për publikun, kanë përpara një letër të Komisionit Evropian ku përmenden në detaje rezultatet e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Po ashtu, në progres-raportin e publikuar të mërkurën, KE-ja konfirmoi se mbetet në fuqi rekomandimi për heqjen e vizave dhe konstatimi se vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret. (A2 Televizion)