
Ish-kryeministri Isa Mustafa është tërhequr tashmë nga lidershipi i LDK-së, dhe mendimet e tij mbi zhvillimet e fundit në Kosovë kanë qenë mediatikisht të pakta.
Por i intervistuar në Ditarin e A2 CNN, ai flet gjerësisht mbi temat e nxehta në Prishtinë, por edhe në Tiranë.
Aktualiteti imponon një mendim për fjalën që kryeministri Edi Rama pritet të thotë në Strasburg mbi Rezolutën kundër raportit të Dick Marty. “Besoj se është hap shumë i rëndësishëm ai i Kuvendit dhe kryeministrit Rama. Besoj se fjalimi i tij do të përfaqësojë të vërtetën lidhur me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe gënjeshtrat e raportit të Marty”, komenton Mustafa.
Ndërkohë, dialogu Prishtinë-Beograd mbetet në një pikë plot të panjohura, edhe pse angazhimi ndërkombëtar duket në rritje.
“Kurti e ka deklaruar se dialogu nuk është prioritet, por më vonë e ka kuptuar që duhet të jetë, se është kërkesë e ndërkombëtarëve, por edhe pse Kosova ka nevojë të përmbyllë procesin e dialogut me një marrëveshje përfundimtare që çon në njohjen reciproke Duket një angazhim serioz i Francës dhe Gjermanisë, por ne e dimë që pa angazhimin e Shteteve të Bashkuara nuk ka zgjidhje fatlume për Kosovën. Unë besoj se ata do të angazhohen, që mos t’i mbetet vetëm këtyre dy vendeve europiane”, thotë ish-kryeministri kosovar.
Sipas tij, palët nuk mund të presin gjatë, veçanërisht Prishtina. “Ne rrezikojmë shumë sepse Serbia po konsolidohet duke marrë gjithmonë e më shumë përkrahje ndërkombëtare. Çdo prolongim i kësaj situate është në dobi të Serbisë dhe aleatit të saj Rusisë. Është moment tepër i favorshëm sepse ndikimi i Rusisë në rajon dhe në gjithë botën është tani shumë i ulët.
Por Mustafa vëren një ashpërsim të tonëve midis dy liderëve. “Është ashpërsuar diskursi politik dhe gjuha, nga Beogradi dhe Prishtina, diçka që nuk i shërben të ardhmes. Vuçiç e ka ndryshuar diskursin, ne arritëm të krijonim një hapësirë për të folur për gjërat që nuk shkonin”.
Në frontin e brendshëm, Mustafa duket tejet kritik ndaj politikave të ekzekutivit Kurti, që sipas tij nuk ka arritur suksese. “Qeveria në asnjë aspekt nuk po i përmbush premtimet gjatë fushatës, erdhi si qeveri e shpresës ndërkohë që në asnjë fushë nuk kemi zhvillime të mëdha. Flitet për rritje ekonomike, por rritje ka pasur tek të gjitha vendet e Ballkanit pas pandemisë. Nuk kemi rezultate në nivelin e punësimit, kemi sistem shëndetësor të keq, nuk kemi njohje të reja ndërkombëtare, kemi vetëm rritje të importeve nga Serbia.
Por a është alternativë qeverisëse opozita? “Besoj se me LDK vendi mund të qeveriset shumë më mirë, por kemi një parti që ka fituar vota, por opozitarizmi mund të bëhet shumë më i fortë, po mundohet, por me këtë tempo dyshoj se mund të bëhet opozitë siç e do vendi në këtë moment”, thotë ai.
Mustafa i bashkohet Kurtit vetëm në refuzimin e Open Balkan për Kosovën, por edhe aty me qasje ndryshe.
“Unë nuk kam qëndrimin kritik ndaj Shqipërisë kritik, sepse besoj se interesat e Shqipërisë janë ndryshe nga interesat e Kosovës. Shqipëria nuk ka probleme me Serbinë, është anëtare e NATO-s, dhe OKB-së, vend kandidat i BE-së, ne nuk jemi në pozitë të barabartë. Prishtina nuk mund të futet në një organizatë që nuk e njohim dhe që mund të mbart në të ardhmen pjesë të sovranitetit të Kosovës, gjë që nuk mund të ndodhë se nuk i kemi zgjidhur shumë probleme, duhet të tregohemi të kujdesshëm”, shton Mustafa në A2 CNN. (A2 Televizion)