Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pezullimi i vendimit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës do ta vriste dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë homazheve për të pagjeturit, presidentja Osmani, reagoi edhe lidhur me deklaratën e presidentit francez, Macron, se vendi i tij do të rishikojë zotimet që ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi. Sipas Osmanit, pezullimi i mundshëm i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Unë do të thosha që kjo është mënyra më efektive për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat në Kosovë që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet. Besoj shumë se as nuk do të vijë deri tek ajo punë, Kosova i ka plotësuar dhe stërplotësuar kriteret”, tha Osmani.
Në ditën ndërkombëtare të viktimave të zhdukjeve me forcë, mesazhi i krerëve të shtetit në Kosovë ju drejtua komunitetit ndërkombëtar. Teksa zhvilloi homazhe te memoriali i të pagjeturve në Prishtinë, presidentja Vjosa Osmani kërkoi që të hiqet dorë nga trysnia ndaj Kosovës, derisa presidenti Vuçiç fle mbi varrezat e të pagjeturve nga lufta. Mbi 1600 persona mbeten të zhdukur në Kosovë, e sipas Osmanit, Serbia vazhdon të përsërisë krimin duke mbajtur të fshehur vendndodhjen e tyre.
“Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më një proces përmes të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni dhe popullit të Kosovës padrejtësi, ndërkaq fytyra e Vuçiçit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive, do të vazhdojë të shpërlahet padrejtësisht”, u shpreh Osmani
Sakaq, kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të rrisin presionin ndaj Serbisë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve të Kosovës dhe të zbardhin fatin e tyre.
“Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën. Pesha e mungesës rëndon mbi familjet e 1617 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Nënat presin ditën kur do të vendosin nga një lule në kujtim të më të dashurve të tyre Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime”, tha Kurti. (A2 Televizion)
