Dita e të zhdukurve, Osmani: Vuçiç fle në varreza, Kosovës të mos i bëhet presion!

Nga A2 CNN
30 Gusht 2023, 11:25 | Kosova
Dita e të zhdukurve, Osmani: Vuçiç fle në varreza,

Në ditën ndërkombëtare të viktimave të zhdukjeve me forcë, mesazhi i krerëve të shtetit në Kosovë ju drejtua komunitetit ndërkombëtar. Teksa zhvilloi homazhe tek memoriali i të pagjeturve në Prishtinë, Presidentja Vjosa Osmani kërkoi që të hiqet dorë nga trysnia ndaj Kosovës, derisa Presidenti Vuçiç fle mbi varrezat e të pagjeturve nga lufta.

Mbi 1600 persona mbeten të zhdukur në Kosovë, e sipas Osmanit, Serbia vazhdon të përsërisë krimin duke mbajtur të fshehur vendndodhjen e tyre.

“Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më një proces përmes të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni dhe popullit të Kosovës padrejtësi, ndërkaq fytyra e Vuçiçit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive, do të vazhdojë të shpërlahet padrejtësisht”.

Vjosa Osmani Presidente e Kosovës

Sakaq, Kryeministri Albin kurti u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të rrisin presionin ndaj Serbisë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve të Kosovës dhe të zbardhin fatin e tyre.

“Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën. Pesha e mungesës rëndon mbi familjet e 1617 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Nënat presin ditën kur do të vendosin nga një lule në kujtim të më të dashurve të tyre Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime”.

Vjosa Osmani Presidente e Kosovës

Gjatë homazheve për të pagjeturit, Presidentja Osmani, reagoi edhe lidhur me deklaratën e presidentit francez, Macron, se vendi i tij do të rishikojë zotimet që ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Sipas Osamnit, pezullimi i mundshëm i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.  

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos