
Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian pritet që gjatë të mërkurës të miratojnë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën duke nisur nga 1 janari i vitit 2024. Kështu raporton media "Evropa e Lirë".
Kjo vjen pas rikthimit në rend dite të kësaj çështjeje, e cila javën e kaluar u hoq për shkak të tensioneve për targat mes Prishtinës dhe Beogradit.
Vendimi që do të sjellë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e zonës Shengen, pritet që të miratohet pa diskutim, pasi shtetet e Unionit janë pajtuar për të që më 22 nëntor.
Teksti është përpiluar nga Republika Çeke, që mban presidencën aktuale të BE-së, por duke marrë për bazë propozimin spanjoll.
Sipas një versioni që ka parë Radio "Evropa e Lirë", lëvizja pa viza do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi europian i udhëtimit, ETIAS. Deri në janarin e 2024-s, Kosova duhet të bëjë marrëveshje për riatdhesime me ato vende të BE-së që ende nuk i ka bërë të vazhdojë të përshtatë politikën e saj të vizave me ato të BE-së. (A2 Televizion)