
Lideri opozitar rus, Alexey Navalny, deklaroi se është i sigurt se udhëheqësi rus, Vladimir Putin, urdhëroi që ai të ndiqej dhe vëzhgohej nga agjentët elitarë rus, para helmimit.
"Jam plotësisht i sigurt se Putini ishte në dijeni", tha Navalny gjatë një interviste për CNN.
"Funksionimi i një operacioni të tillë dhe për një kohë kaq të gjatë nuk mund të ekzistojë pa një vendim nga shefi i FSB (Shërbimit Rus të Sigurimit), z. Bortnikov. Ai kurrë nuk do ta guxonte ta bënte atë pa urdhrin e drejtpërdrejtë të Presidentit Putin."
Kjo deklaratë vjen pas një hetimi të kryer nga grupi Bellingcat dhe CNN, nga ku rezultoi se, një njësi e sigurimit rus ndoqi ekipin e tij gjatë një udhëtimi në gusht, në Siberi.
Hetimi zbuloi se dy ekipe të përbëra nga pesë ose gjashtë agjentë u vendosën në udhëtimin siberian të Navalny në gusht 2020, duke përfshirë njerëz të specializuar në helmimin me toksinë dhe agjentë nervorë.
Qeveria ruse nuk i është përgjigjur raportit, megjithëse Kremlini ka mohuar më parë çdo përfshirje në helmimin e Navalny.
Navalny u sëmur rëndë ndërsa udhëtonte më 20 gusht, gjatë një fluturimi 4-orësh nga Tomsk në Moskë.
Kapiteni i avionit u kthye menjëherë në qytetin Omsk ku mori ndihmë mjekësore dhe më vonë u dërgua në Gjermani, ku u zbulua se lideri rus i opozitës ishte helmuar nga agjenti nervor Novichok.
Bashkimi Evropian që atëherë ka vendosur sanksione ndaj disa zyrtarëve të lartë rus, duke përfshirë Bortnikov, dhe duke thënë se ai ishte përgjegjës për sigurimin e mbështetjes për personat që kryen ose ishin përfshirë në helmimin e Navalny.
Hetimi i CNN dhe Bellingcat, gjithashtu zbuloi se sigurimi rus kishte ndjekur ekipin e Navalny në më shumë se 30 udhëtime nga dhe në Moskë, që nga viti 2017. (A2 Televizion)