
Anëtari i Kryesisë së PD, Enkelejd Alibeaj thotë se projekti i qeverisë për të rishikuar e ligjit për Policinë e Shtetit, duke lejuar përgjimet pa autorizim nga prokurori, krijon hapësira të shumta për abuzime.
“Problemi është tek përdorimi i tyre. Bëhen me vendim gjykate përgjimet. Këto ndryshimet e fundit janë larg kontrollit të ligjshmërisë. Qeveria nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka dhënë vetes të drejtë të përgjojë këdo pa prova dhe motiv. Abuzivizmi në mënyrë flagrante”, u shpreh Alibeaj.
Më e rënda, sipas Alibeaj është riformulimi i nenit që detyronte shkatërrimin e përgjimeve.
“Për 6 muaj këto përgjigje duhet të shkatërrohen, në mënyrë që mos përdoren për shantazh. Me këto ndryshime, të drejtat e individëve janë në dorë të qeverisë”, shtoi anëtari i Kryesisë së PD.
Ndryshimet ligjore që ka projektuar qeveria, parashikojnë kalimin e agjencisë së pronave te sekuestruara nga Ministria e Financave tek ajo e Brendshme, ndryshim i cili mirëpritet edhe nga Alibeaj.
A2 ka zbuluar prej ditësh ndryshimet që qeveria dëshiron të bëjë në disa ligje dhe kode, në kuadër të nismës anti-KÇK, kundër krimit të organizuar. (A2 Televizion)