
Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, e ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se e ka kundërshtuar ligjin për investimet strategjike që në vitin 2015, si një “ligj antikushtetues”.
“Ligji për investimet strategjike është kundërshtuar nga mua që në vitin 2015, kur është propozuar. U tha që ishte vetëm për 3 vite, deri në vitin 2018, por qeveria e ka shtyrë 4 herë afatin. Është një ligj antikushtetues sepse cenon të drejtën e pronës, sidomos në zonën e jugut, dhe së dyti cenon konkurrencën në treg”, u shpreh Tabaku.
Ditën e djeshme, propozimi i deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, për refuzimin e të gjitha kërkesave për marrjen e statusit “investitor strategjik” prej 1 janarit u rrëzua në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Nisma e Tabakut u mirëprit pjesërisht nga socialisti Erion Braçe, i cili shprehu rezerva për monitorimin e procesit pas marrjes së statusit të investitorit strategjik.
Nën argumentin se nëpërmjet ligjit të miratuar në vitin 2015 janë kryer abuzime dhe favorizime duke i shkaktuar dëm shtetit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkoi që gjitha kërkesat prej 1 janarit të këtij viti për marrjen e statusit të investitorit strategjik të refuzohen.
Rreth 7 vite më parë, Parlamenti i Shqipërisë miratoi një projektligj të projektuar për të tërhequr investime të mëdha duke u dhënë sipërmarrësve të interesuar statusin e “investitorit strategjik”, me shumë lehtësi ligjore dhe infrastrukturore. (A2 Televizion)