
Vendimi gjyqësor për lirimin e Endrit Dokles nuk ka qenë një rrufe në qiell të hapur.Të paktën, jo për sistemin e drejtësisë në vend.
I dënuari me burgim të përjetshëm nga Gjykata për Krimet e Rënda, si një nga anëtarët kryesorë të bandës së Durrësit, si edhe për drejtimin e një linje trafiku të heroinës nga Turqia në Shqipëri, ka nisur vite më parë të shtrojë rrugën që do ta nxirrte nga qelitë e burgut.
Sipas të dhënave zyrtare, Gjykata e Krujës ka shqyrtuar 15 kërkesa penale të Dokles gjatë viteve të fundit fundit, përmes të cilave ai ka kërkuar ulje dënimi, llogaritje të kohës së paraburgimit, njohje të amnistive të ndodhura ndër vite, si edhe kërkesën finale për lirim me kusht.
Kërkesat e tij kanë hasur në refuzim kur janë gjykuar nga gjyqtarë të tjerë të Krujës, si në këtë rast, kur gjyqtarja Alma Kolgjika nuk pranoi t’i ulë nga 45 ditë për çdo vit të vuajtjes së dënimit të tij nga viti 2005 në 2017. “Një i dënuar me burgim të përjetshëm nuk mund të përfitojë ulje dënimi, pasi nuk mund t’i llogariten tek koha e mbetur për të vuajtur”, arsyeton gjyqtarja.
Por qëndrim të tillë nuk ka mbajtur gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Në shtator të 2019-ës Hoxha ka pranuar kërkesën e Dokles për uljen e dy viteve dënim për amnistinë e vitit 2012 dhe një vit nga amnistia e vitit 2016. Një muaj më vonë gjyqtarja Hoxha ka pranuar edhe kërkesën e të dënuarit për ndryshim të llojit të sigurisë së burgut, nga e lartë në të zakonshme.
Ndërkohë e njëjta gjyqtare ka pranuar kërkesat e Dokles për përjashtimin e gjyqtarëve të tjerë nga çështjet e tij. Ndonëse nuk ka në duar arsyetimin e vendimit, Prokuroria e Krujës është duke përgatitur ankimin e tij.
Burime të A2 konfirmuan se në thelbin e tij do të jetë fakti se Dokle nuk mund të përfitonte lirim me kusht. Sipas prokurorisë, në rastin e tij, ligji kërkon kryerjen 25 viteve dënim për t’i lindur e drejta e lirisë me kusht kur gjatë gjithë dënimit ka shfaqur sjellje shembullore. Por sipas prokurorisë, në këto 25 vite nuk duhet të llogariten uljet e dënimit nga amnistitë, apo sjellja e mirë. (A2 Televizion)