Pas një seance maratonë, e cila ka zgjatur më shumë se 9 orë, Gjykata e Përmetit dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje, për botuesin dhe gazetarin Henri Çili, i cili u arrestua dy ditë më parë.
Ndërkohë, për personat e tjerë të arrestuar në sajë të operacionit “Mezhgorani”, gjyqtari i Gjykatës së Përmetit, Dritan Hasani, dha masën “detyrim paraqitje” për 11 prej tyre, dy me “arrest shtëpie”, ndërsa në burg u lanë 16 persona të tjerë.
Nga hetimet e Prokurorisë doli se Çili ka ushtruar ndikim te një gjyqtar, për të lehtësuar dënimin e vëllezërve Aliko, njëri prej të cilëve, Arbioni, i dënuar me burgim të përjetshëm. Në përgjime, babai tyre i kishte premtuar Çilit një hapësirë toke në Gjirokastër, por edhe shuma parash në këmbim të uljes së dënimit të dy djemve, dosje, e cila pritet të gjykohet në Gjykatën e Lartë.
Emri i botuesit del edhe në kontrata që janë për dhurim pronash në zonën e Gjirokastrës, por edhe në transaksione bankare. Urdhër-arrestet u lëshuan nga Prokuroria e Përmetit pas një hetimi disamujor, i nisur në fund të vitit 2019-të. Ndaj Henri Çilit rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe transaksione të dyshimta që pritet të jenë pjesë e një hetimi pasuror. (A2 Televizion)