
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka kërkuar nga Qeveria në Beograd që të shpallë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë “bashkëpunëtorët e tyre” si organizata terroriste pasi kërcënojnë paqen në veriun e Kosovës.
Në një letër, të cilën ky subjekt e ndau me mediat, thuhet se populli serb “po vuan nga terrori dhe represioni i regjimit antiserb të Albin Kurti, prej dy vitesh”.
“Ne thellësisht besojmë se ky vendim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët perëndimorë, do të parandalonte aktivitetet e mëtejme të paligjshme të këtyre formacioneve për të kërcënuar paqen në veri. Po ashtu, do të krijonte bazë ligjore për veprimet e të gjitha autoriteteve shtetërore kundër këtyre organizatave që t’i sjellin ato para drejtësisë”, thuhet në letrën e Listës Serbe dërguar Qeverisë në Beograd.
Kërkesa e Listës Serbe vjen disa ditë pasi Qeveria e Kosovës shpalli si organizata terroriste, “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” – dy grupe që besohet se veprojnë në veri. (A2 Televizion)