
Lista Serbe kërcënon me bllokimin e të gjithë veriut të Kosovës. Këtë e bëri pas një takimi urgjent me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i cili dha bekimin dhe mbështetjen e tij për këtë plan që rikthen tensionet.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, pretendoi se kjo do të jetë rezistenca paqësore e popullit në rast se qeveria e Albin Kurtit do të vijojë me planin e konfiskimit të automjeteve me targat e vjetra serbe, pas 31 tetorit. Pas takimit me Vuçiç, të cilin e quajti vetë si më të shkurtrin ndonjëherë, Rakiç tha se pronë e serbëve do të quhet gjithçka, përfshirë dhe targat e lëshuara që prej kohës së Millosheviçit.
“Ne sinqerisht duam rezistencë paqësore, demokratike dhe jo të dhunshme të popullit, mirëpo nuk e dimë se në çfarë do të shndërrohet nëse dikush tenton që në mënyrë të dhunshme ta marrë pronën tonë. Nëse ndërmerret çfarëdo aksioni i dhunshëm për konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha hyrjet dhe daljet nga veriu dhe për nga qendra e Kosovës”, deklaroi Goran Rakic, kreu i Listës Serbe.
Në linjë me këshillat e Vuçiç, kreu i Listës Serbe, nxiti komunitetin serb që jeton në Kosovë që të mos i ndryshojnë targat e vjetra në ato të reja “RKS”. Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti vijoi me thirrjet e tij për të respektuar vendimin dhe afatin e fundit, 31 tetorin.
"Ftoj të gjithë qytetarët serbë të cilët i kanë targat e stërvjetëruara t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti.
Të njëjtën thirrje e përsëriti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila akuzoi kriminelët e urdhëruar nga Beogradi se po frikësojnë serbët e Kosovës që të mos i konvertojnë targat e vjetra duke u djegur shtëpitë dhe automjetet. (A2 Televizion)