“Gjejmë zgjidhje që mbron serbët”, Osmani: Nuk ka presion ndërkombëtar për targat

Nga A2 CNN
26 Tetor 2022, 19:29 | Kosova
“Gjejmë zgjidhje që mbron serbët”, Osmani: Nuk ka

“Unë nuk do ta quaja presion, gjithçka që vjen nga miqtë tanë është sugjerim me qëllimin më të mirë të mundshëm”. Kështu u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke komentuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për të shtyrë me 10 muaj afatin e fundit për ndërrimin e targave në komunat me shumicë serbe.

Kryetarja e shtetit nënvizoi se e gjithë kjo bëhet për të përforcuar sundimin e ligjit dhe që asnjë qytetar të mos ndihet I kërcënuar. Gjatë një eventi për mbjelljen e pemëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Osmani konfirmoi se ka shpresa që bashkë me ndërkombëtarët të vuloset një marrëveshje për çështjen e targave përpara 31 tetorit.

“Ne duhet të ulemi të gjejmë një zgjidhje të përbashkët ku edhe respektohen obligimet ligjore, e kushtetuese që i kemi ne si institucione e në anën tjetër gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, ndihen të mbrojtur, të informuar dhe po ashtu i mbrojmë ata nga kërcënimet e vazhdueshme që po ua bëjnë bandat kriminale serbe. Dhe besoj që do të gjendet një zgjidhje përpara e cila edhe e respekton afatin”.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje, anëtarët e Listës Serbe në Kosovë, kërkuan një takim urgjent me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Me anë të një njoftimi në rrjete sociale, kjo parti pretendon se më 1 nëntor qeveria e Kosovës po planifikon të konfiskojë pronat e serbëve dhe automjetet me targa serbe. Sipas tyre kjo është një tentativë për dëbimin e serbëve nga Kosova. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos