SHBA shpreson për një zgjidhje për targat gjatë ditëve në vijim, Kurti nuk pranon shtyrje të afatit

Nga A2 CNN
25 Tetor 2022, 14:42 | Kosova
SHBA shpreson për një zgjidhje për targat gjatë ditëve

Kosova nuk pranon thirrjet e ndërkombëtarëve për të shtyrë afatin e fundit për ndërrimin e targave. Këtë e bëri të ditur vetë kryeministri Albin Kurti, i cili përsëriti se brenda 31 tetorit të gjithë serbët duhet të marrin targat me akronimin “RKS”.

Shefi i qeverisë nënvizoi se këto masa nuk janë as hakmarrje dhe as urrejtje ndaj një etnie të caktuar, por zbatim i ligjit: “Data e fundit është 31 tetori, kur të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të stërvjetëruara KM, PR e të ngjashme, t’i konvertojnë ato në targa legjitime. Këto nuk janë masa kundër serbëve, përkundrazi këto janë masa për serbët që u ofrojnë lehtësime financiare dhe jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë”.

Përpara deklaratës së tij, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht atë për targat, përveç të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është angazhuar edhe vetë Sekretari i DASH, Anthony Blinken. 

Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, theksoi: “Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun e BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partner si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë, me shpresën që ata mund ta zgjidhin këtë çështje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”.

Ndërkohë, shtyrjen e afatit të fundit për ndërrimin e targave me 10 muaj, Kosovës ia kërkuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, përmes Escobar dhe të emëruarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Në vizitat e tyre të fundit në Prishtinë dhe Beograd, e konsideruan këtë një masë të nevojshme për të shmangur tensionimin e situatës në veri të Kosovës.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos