''Lista serbe përfaqësoi interesat e Vucic'', Kusari-Lila mesazh serbëve, opozita: Dëgjoni ndërkombëtarët

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2022, 13:24 | Kosova
''Lista serbe përfaqësoi interesat e Vucic'',

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila iu drejtua  qytetarëve serbë nga Kuvendi i Kosovës.

Me një mesazh në gjuhën serbe, Kusari-Lila u bëri thirrje serbë të rikthehen në institucione, ndërsa akuzoi listën serbe se përfaqësonte interesat e Aleksandër Vucic e jo ato të qytetarëve serbë në Kosovë.

 “Sot jeni nën presion nga politika e Vucicit, e kuptojmë dhe respektojmë lidhjen me vendin amë, por ky Kuvend dhe ky shtet është vendi juaj i cili ju garanton të drejta për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Ju lutem, ngrihuni pasi vetëm përfaqësim direkt do ta ndërtojmë shtetin tonë dhe jetën e përbashkët në Kosovë”.

Që nga 5 nëntori e në vazhdim, serbë të Kosovës kanë dhënë dorëheqjen nga institucione të ndryshme në shenjë revolte kundër zbatimit të planit të qeverisë për targat. Ndër ta, edhe 10 deputetë të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista serbe dorëzuan dorëheqjet të hënën, ndërsa kanë nisur procedurat për zëvendësimin e tyre.

Gjatë debatit në parlament, deputetët e opozitës përsëritën thirrjen ndaj qeverisë që të marrë në konsideratë kërkesat e ndërkombëtarëve, për shtyrjen e planit me tre faza për targat.

Plani me tre faza i qeverisë, parashikon paralajmërimin e drejtuesit e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia në fazën e parë, gjobitjen e tyre me 150 euro pas 21 nëntorit dhe nga 21 prilli nuk do të lejohet më qarkullimi me targat e paligjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos