
Tenori i famshëm Luciano Pavarotti shumë shpejt tregoi një talent të parakohshëm për të kënduar, siç dëshmohet nga tregimet e familjes. I biri i një bukëpjekësi, Pavarotti kishte menduar të bëhej futbollist profesionist, por dëshira e tij për të kënduar, që kur ishte katër vjeç, ia kishte ndryshuar rrjedhën e jetës.
Luciano Pavarotti pati një karrierë dyzetvjeçare në skenat botërore dhe brenda kësaj kohe u bë një prej artistëve më të shitur, krah për krah me artistët më të suksesshëm të kohës, si Madona apo Elton Xhon.
Një ikonë e paharrueshme e lirikës dhe muzikës në përgjithësi, “Big Luciano” ka ditur të mbushë teatro dhe sheshe të më shumë se gjysmës së botës me duetet e tij të famshme “Pavarotti and Friends” dhe me “Tre Tenorët”. Luciano Pavarotti mban rekordin më të madh në historinë e muzikës së koncerteve live, plot 1200, duke e klasifikuar atë si një fenomen. (A2 Televizion)