Lufta kibernetike në Ukrainë, edhe Shqipëria e rrezikuar, AKCESK këshillon kompanitë në vend

Nga A2 CNN
4 Mars 2022, 16:57 | Aktualitet
Lufta kibernetike në Ukrainë, edhe Shqipëria e rrezikuar, AKCESK

Tentativa për të pushtuar Ukrainën nuk po ndodh vetëm ushtarakisht. Mësymja ruse ndaj ish-republikës sovjetike po mbështetet edhe te sulmet kibernetike.

Qeveria e Ukrainës njoftoi për një sulm kompjuterik në shkallë të gjerë më herët gjatë janarit, ofensivë që vijon edhe aktualisht.

Nga ky rrezik kërcënohet edhe Shqipëria. Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike ka hartuar një sërë udhëzimesh për kompanitë shqiptare.

Lista këshillimore përfshin aktivizimin e verifikimit me shumë faktorë, heqjen nga përdorimi të softuerëve të vjetër, përdorimin e fjalëkalimeve të forta, përditësimin e sistemeve të brendshme dhe ndërveprimin me njësinë kombëtare te reagimit ndaj incidenteve kibernetike.

Me qëllim pasjen e një niveli sa më të lartë sigurie, ekspertët këshillojnë gjithashtu që kompanitë dhe qytetarët shqiptarë të shmangin programet kompjuterike me origjinë ruse.

Rreziku i shtuar nga krimet kibernetike ndaj bizneseve dhe institucioneve u diktua edhe në reportazhin e titulluar, “Shqipëria, e pambrojtur ndaj sulmeve kibernetike” në bashkëpunim me Investigative Network Albania, me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos