
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano mbajti sot një konferencë të Përbashkët me përfaqësues të Policisë së Shtetit të Italisë, për përfundimin e procesit të monitorimit ajror të territorit të vendit. Nano u shpreh se gjatë 2021-it ka patur një rënie të trafikimit nga Shqipëria drejt Italisë me 100%.
“Në total për vitin 2021, Policia e Shtetit ka kryer gjithsej 145.555 kontrolle dhe janë kryer 383.689 orë shërbimi; Është intensifikuar kontrolli i territorit nëpërmjet përdorimit të dronëve, ku për vitin 2021, janë përdorur 50 dronë, nga 24 të tillë të përdorur më 2019 dhe 38 përdorur për vitin 2020; Për monitorimin ajror janë përdorur me efikasitet helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes, ku për këtë vit janë kryer 69 orë fluturimi”, tha Nano.
“Gjatë këtij viti kemi evidentuar 848 vepra penale për kultivimin e bimëve narkotike, nga të cilat 736 janë raste kultivimi dhe 112 procedime proaktive; Janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 668 shtetas nga të cilët 400 janë ndaluar apo arrestuar në flagrancë; Janë identifikuar dhe asgjësuar 164.775 bimë narkotike, nga të cilat 20.997 në kubikë.
Në të njëjtën periudhë të vitit 2020: U evidentuan 577 vepra penale, nga të cilat 505 ishin raste të kultivimit dhe 109 procedime proaktive; U implikuan 468 shtetas në veprimtari kriminale nga të cilët 284 janë ndaluar apo arrestuar në flagrancë; U identifikuan dhe asgjësuan 137.216 bimë narkotike, nga të cilat 18.828 në kubikë. Gjatë periudhës referuese bazuar në statistikat e kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 100 %, nga 911 kg në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në zero gjatë këtij viti”. (A2 Televizion)