
“Sali Berisha mbolli këtë farë dhe tani po korr farën që ka mbjellë. Keq më vjet ta them këtë, sidomos në një situatë kur ai po lufton për dinjitetin dhe në këtë drejtim e mbështes plotësisht, ka të drejtë”.
Kështu u shpreh Neritan Ceka, themelues i Partisë Demokratike, në një intervistë në emisionin “Debat” në A2 CNN, teksa foli për krizën në partinë më të madhe të opozitës. Ai propozon një reformë të thellë politike të të gjithë sistemit. “Së pari, partia është pjesë e shtetit dhe duhet t’u bindet ligjeve të shtetit, financiare dhe të karrierës. Nuk mund të shkosh në Partinë Demokratike, apo në PS dhe të bëhesh ministër pa kaluar shkallët”.
Me ligjin aktual, për Neritan Cekën është e kotë që të ketë disa parti opozitare. Sipas tij, të gjitha partitë e vogla duhet të bashkohen në një të vetme.
“Kurrë nuk e kam menduar këtë punë. E gjithë opozita, me këtë ligj, është e kotë të luajë rolin që ka Parti Republikane, Parti Agrare. Këto parti më mirë mbylli fare. Ky është një ligj i imponuar, negativ deri në thellësinë e tij. Unë mendoj se ka nevojë për dy parti, të modelit Amerikan”, tha Ceka. (A2 Televizion)