Lufta Rusi-Ukrainë, efektet në ekonominë tonë, nga nafta dhe mielli tek turizmi

Nga A2 CNN
1 Mars 2022, 19:43 | Aktualitet
Lufta Rusi-Ukrainë, efektet në ekonominë tonë, nga nafta dhe

Bursat po pësojnë goditje të reja çdo ditë, nën presionin e luftimeve që vijojnë mes Rusisë dhe Ukrainës.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 2.6 për qind, duke prekur kuotën e 100.51 dollarëve për fuçi, pasi kishte rënë një ditë më parë, pas një njoftimi se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë do të mblidhte një takim urgjent të martën për shtimin e rezervave të naftës. Një masë që do të kompensonte diku prodhimin rus, që përbën rreth 10 % të prodhimit global të naftës.

Në Shqipëri ende nuk është reflektuar rritja e çmimit të naftës që po ndodh në bursa, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Në pikat e shitjes me pakicë, nafta tregtohet me rreth 194 lekë për litër, ndërsa benzina nga 196-198 lekë për litër. Importuesit deklarojnë se kanë rezerva për rreth 3 muaj dhe për momentin nuk pritet të ketë rritje të reja të çmimeve.

Për sa i përket produkteve të tjera, më i rrezikuar është mielli, duke qenë Rusia është eksportuesja më e madhe e grurit dhe misrit. Para se të shpërthente lufta, një ton me grurë në bursë kushton 350 euro, ndërsa sot afërsisht kushton 410 euro. Importuesit e miellit deklarojnë se nuk pritet rritje e çmimit, pasi kanë rezerva për 45 ditë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, Rusia është vendi kryesor i origjinës për drithërat e importuara në vendin tonë, me vlerë thuajse 5 miliardë lekë për vitin 2021, pasuar nga Serbia në vendin e dytë me 3.8 miliardë lekë. Ndërsa Ukraina, është vendi i pestë i origjinës për këtë produkt të rëndësishëm.

Nga ana tjetër, ditët e fundit ka pasur një fluks të shtuar të blerjes së miellit në disa qytete, për shkak të pasigurive që ka krijuar lufta dhe kjo ka çuar në rritje të çmimit.

Një tjetër sektor që mund të vuajë pasojat është turizmi. Kjo pasi sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar ishin rreth 150 mijë shtetas nga Rusia dhe Ukraina që vizituan vendin tonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos