





Një luftanije e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka “ndezur gjakrat” në Kinë pasi lundroi ditën e djeshme në ngushticën e Tajvanit.
Ky zhvillim i radhës vjen në një kohë kur Pekini ka paralajmëruar kundër përshkallëzimit të tensioneve dhe minimit të paqes në rajon.
Në një deklaratë, ushtria amerikane ka bërë të ditur se kalimi transit u bë nga destrojeri Chung-Hoon.
“Kalimi i Chung-Hoon përgjatë ngushticës së Tajvanit tregon angazhimin e SHBA-ve për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”, thuhet më tej në deklaratë.
Kurse, në një deklaratë tjetër Liu Pengyu, zëdhënësi i ambasadës kineze në Uashingon deklaroi se kalimi i luftanijes në ngushticë dënohet nga Pekini ndërsa i bëri thirrje SHBA-së që të “ndalojë menjëherë provokimet dhe minimin e stabilitetit.”
“Luftanijet amerikane tregojnë shpeshherë muskujt në emër të lirisë së stërvitjes dhe navigimit. Kjo nuk ka të bëjë me mbajtjen e rajonit të lirë dhe të hapur. Kina do të vijojë të qëndrojë në gatishmëri të lartë dhe gati t’u përgjigjet të gjitha kërcënimeve.”
Pjesë nga deklarata
Kujtojmë se përpjekjet e Kinës për të intimiduar ushtarakisht Tajvanin janë shtuar në muajt e fundit duke bërë që Uashingtoni të druhet se Pekini po i afrohet përdorimit të dhunës. (A2 Televizion)