
Kastriot Islami, ish-kryetar i Parlamentit, ish-ministër i Jashtëm, në Intervistë nga Merita Haklaj në A2 CNN, ndër të tjera foli edhe për tensionet në veri të Kosovës.
Ai u shpreh se aktualisht po zhvillohet një luftë për rend të ri global dhe sipas tij, me këtë do të zgjidhet edhe statusi përfundimtar i Kosovës.
“Kjo situatë e Kosovës vjen në një moment kur diskutohet për rendin e ri global. Kjo nuk është shpikja ime. Kur filloi Covid-i, Kissinger, një nga figurat e rëndësishme në SHBA, shkroi se pas pandemisë do të vijë kriza ekonomike. Amerika duhet të përgatitet për rendin e ri botëror.
Shtetet e Perëndimit thonë se kjo nuk është një luftë globale, por pjesë e çmendurisë së Putinit. Kina nuk prononcohet, por kjo luftë vendoset në kuadrin e betejave për rendin e ri global. Nëse pranojmë këtë tezë, çështja e përfundimit të statusit të Kosovës shtrohet për t’u zgjidhur në këtë kontekst”, u shpreh Islami. (A2 Televizion)