
Tempulli i demokracisë duhej të ishte një arenë e përballjes së ideve, por fjalori i rrugës që dëgjohet herë me mikrofon e herë jo, e ka kthyer në skenë sherresh e ofendimesh personale, si hapi i fundit që ndan përfaqësuesit e popullit nga përdorimi i duarve.
Rasti i fundit kishte protagonist Kryeministrin e vendit, etiketimeve të të cilit iu përgjigjën të nesërmen me të njëjtën gjuhë dy deputetë demokratë.
“Nuk është normale në asnjë parlament. Palët kanë kaluar vijën e kuqe. Kryeministri përdor një sërë termash që konsiderohen fyerje, tipare që nuk i ka asnjë kryeministër tjetër, fati i tij është që opozita e përgjigjet me të njëjtën gjuhë dhe që nuk këto përplasje nuk i merr njeri seriozisht”, shprehet Afrim Krasniqi, studiues.
Këto përplasje verbale për Krasniqin nuk janë situata rastësore, por përdoren nga mazhoranca dhe opozita për të fshehur problemet e tyre të brendshme. “Kur ka një problem madhor që nuk ka zgjidhje, politikanë krijojnë konflikte dhe situate artificiale siç është rasti konkret”.
Problemin në klasën politike ai e sheh te lidershipi dhe në mungesën e zërave kritike brenda së majtës.
“Fakti që u duartrokit nga grupi parlamentar tregon që funksion tek militantët qoftë nga frika, qoftë për ruajtjen e pushtetit. Deputetët militant të verbër të kryetarit”.
Duke marrë shkak nga kjo sjellje e deputetëve në Parlament, politologu ngre shqetësimin që në fushatën e zgjedhjeve vendore qytetarët nuk do të jenë në qendër të vëmendjes së partive politike, agjendat e të cilave thotë se do të përqendrohen në gjuhën e ashpër ndaj kundërshtarin. (A2 Televizion)