
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Samitin e Paqes që u mbajt në Paris, me ftesë të presidentit Macron ku foli për luftën në Ukrainë dhe ndikimin që ajo ka në rajonin e Ballkanit.
Kreu i qeverisë u shpreh se Ballkani është i bashkuar sa i përket luftës së Rusisë, ndërkohë që shprehu dhe shqetësimin se është hallka më e brishtë, pasi sipas tij Kremlini ka një ndikim shumë të madh.
“Dua të them se Ballkani deri tani ia ka dalë t’i qëndrojë larg luftës konvencionale duke qenë hallka më e brishtë e zinxhirit. Ne kemi dobësitë tona se e dimë që në Ballkan, Rusia ka ndikimin më të madh potencial dhe mund të shkaktojë dëme prej ndasive.
Kemi një çështje të madhe si Serbia dhe Kosova, por është e rëndësishme të shihet se Ballkani është i bashkuar. Ne jemi në drejtimin e duhur. E di që nuk është e lehtë. Për shkak të asaj që ka ndodhur vërtet në Ballkanin Perëndimor, ky është po kështu produkt i nxitjes që po jep Franca duke qenë nga njëra anë apo i perceptuar si më skeptik për zgjerimin por dhe më i përfshirë së fundmi në Ballkanin Perëndimor”, tha Rama. (A2 Televizion)