
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme për shtyp u shpreh se “zemërimi, revolta, padurimi i qytetarëve shqiptarë po kulmon, po rritet çdo orë dhe me padurimin më të madh po presin protestën e nesërme në ora 4 të pasdites si një ngadhënjim të plotë të popullit opozitar”.
“Po presin protestën e nesërme si një dëshmi përfundimtare e vendimit të këtij populli për të mos pranuar kurrë më armikun e egër të votës së tyre të lirë, të sillet siç është sjellë me ta. Për të mos pranuar kurrë më një kryehajdut të të gjitha kohërave, për t’i vjedhur, për t’i varfëruar, për t’i mjeruar ata. Për të mos pranuar kurrë më tej, një armik të qenies së tyre, që po i përzë, po i dëbon, çdo ditë nga Shqipëria. Që ka shndërruar dheun e tyre në një dhe, në të cilin shqiptarët nuk besojnë. Që eksporton çdo ditë, nga ky vend, më shumë se çdo gjë tjetër, krim, drogë dhe drogë dhe krim. Që dhunon masivisht të drejtat e shqiptarëve”, tha Berisha.
“Pas Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku më i papajtueshëm me opozitën. Shqiptarët e shohin se çfarë fjalori të ulët prej halabaku ordiner përdor ky njeri për opozitën. Shqiptarët konstatojnë se i mbrujtur me edukatën e babait-xhelat, trashëgiminë e dajës-xhelat, ky ka për kundërshtarin, psikologjinë e xhelatit. Të gjitha këto janë temat e protestës”, shtoi kreu demokrat.
Sipas tij, “qytetarët shqiptarë nesër do njihen me alternativën anti-krizë të PD dhe opozitës”.
“Edhe njëherë, ftoj çdo shqiptar, demokrat dhe demokrate, qytetarë pa parti, anëtar të partive të tjera politike opozitare, por edhe socialistë, që janë shumë më afër me ne se me sektin e rilindjes, të bashkohemi për kauzën tonë të drejtë nesër. Dhe të çelim me atë protestë, një lëvizje të fuqishme që ka si synim madhor, përmbysjen e këtij regjimi antishqiptar. Ka si synim madhor, rikthimin e Shqipërisë në standardet demokratike, votën e lirë. Ndëshkimin e hajdutëve të pasurive publike dhe fondeve publike, shpartallimin e krimit të organizuar me zero tolerancë ndaj tij. Ka si synim madhor që vendimet për Shqipërinë dhe shqiptarët të mos merren në Beograd, të mos merren në Ankara, por veçse në Tiranë. Të largojmë një person, një antishqiptar, një armik të qenies shqiptarë, të lirive dhe të drejtave tona. Protesta, ju po e shihni, sirenat e zemërimit dhe urrejtjes ndaj kësaj qeverie, të dhimbjes, sakrificës dhe mjerimit, po ulërijnë në zemrat e të gjithë shqiptarëve në të katër anët e vendit”, deklaroi Sali Berisha. (A2 Televizion)