
Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një padi ndaj asaj që e cilëson si aferën e Portit të Durrësit. Nënkryetari Oerd Bylykbashi, njëherësh deputet i qytetit bregdetar, deklaroi se PD-ja kërkon nga Kushtetuesja të mos lejojë grabitjen e një pasurie publike, që sipas tij, i jepet kompanive offshore të lidhura me pushtetarët.
“PD depozitoi sot në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër aferës më të madhe korruptive në historinë e Shqipërisë që është ajo e Portit të Durrësit. Një aferë e gatuar në fshehtësi jo thjesht me mungesë transparence, por e bërë qëllimisht sepse një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa private, marrja e pronës qytetarëve jo thjesht të Durrësit, por gjithë Shqipërisë. Porti i Durrësit, dhënia për interesa përfitimi privat nën petkun e investitorit strategjik me kompani offshore, ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese. Shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do të qëndrojë në nivelin e asaj që pritet prej saj dhe të bëjë detyrën e saj, të mbrojë interesin publik dhe jo në mbrojtje të interesave të kryeministrit. Dhënia me koncensione individësh e kompanish pa marrë parasysh kërkesën e kushtetutës e ligjit që të jenë të gjithë të barabartë para ligjit dhe mundësive ekonomike, këtë mund ta bëjë vetëm një individ që ka centralizuar të gjitha pushtetet Edi Rama”. (A2 Televizion)