
Protesta të dhunshme janë regjistruar në kryeqytetin e Bjellorusisë, pasi një exit-poll i organizuar nga televizioni shtetëror, shpalli fitoren e presidentit fuqiplotë Aleksandër Lukashenko në zgjedhjet e së dielës
Në Minsk, policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën sende të forta mbi ta. Raportohen dhe të lënduar.
E gjitha nisi disa minuta pas mbylljes së qendrave të votimit, kur televizioni shtetëror shpalli përmes një exit poll fitoren e mandatit të 6 të Lukashenko si president me një rezultat të thellë.
Kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya u shpreh se nuk i besonte këtyre shifrave që e nxirrnin atë me 7% të votave ndërsa Lukashenkon me mbi 80% të preferencave të qytetarëve bjellorusë.
“Nuk mund t’ju besoj syve, mazhoranca e qytetarëve është me ne”, u shpreh Tikhanovskaya në një konferencë për shtyp.
Svetlana 37-vjeçare është bashkëshortja e blogerit dhe aktivistit të njohur Sergej Tikhanovkij, kandidati që një javë më parë u arrestua me akuzën se po organizonte një revoltë falë mbështetjes të disa mercenarëve rus. Ajo jo vetëm nuk është politikane e mirëfilltë, por deri pak ditë më parë as që nuk i shkonte në mendje të sfidonte presidentin. (A2 Televizion)