Pas plazhit në birrari, britanikët harrojnë koronavirusin dhe përpiqen t’i shpëtojnë vapës

Nga A2 CNN
9 Gusht 2020, 15:33 | Bota

Qindra pushues, kryesisht të rinj, pushtuan lokalet dhe restorantet gjatë fundjavës, një ndër më të nxehtat në Britaninë e Madhe, pasi kaluan paraditen në plazh. Por autoritetet shqetësohen se kjo sjellje e papërgjegjshme, ku nuk respektohen thuajse fare rregullat e pandemisë, do të ndikojë në përhapjen edhe më të madhe të koronavirusit në vend.

Me temperaturat që kanë kaluar 35 gradë celsius në zonat bregdetare dhe jo vetëm, pas plazhit, të rinjtë janë dyndur nëpër lokale, pavarësisht kërcënimeve të autoriteteve për t’i mbyllur ato, për shkak se është vërejtur një rritje e numrit të rasteve mes moshave nën 30-vjeç.

Efektivët e policisë u panë të përpiqen të largojnë të rinjtë nga zonat e mbipopulluara, por pavarësisht paralajmërimeve, ata nuk kanë mbajtur maska dhe aq më shumë nuk janë përpjekur fare të ruajnë distancimin fizik të rekomanduar.

Në Preston, një qytezë të vënë në izolim, mesazhi i autoritete lokale ishte “mos vrisni gjyshet”, për të ndërgjegjësuar të rinjtë që edhe pse pa simptoma, si mbartës të koronavirusit mund të infektojnë të afërmit kur të rikthehen në shtëpi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos