
Gjetja e parcelave me hashash dhe në Tiranë, por dhe rastet e shtuara të kultivimit, kanë bërë që policia shqiptare të kërkojë sërish ndihmë te partnerët italianë të Guardia di Finanza për monitorimet nga ajri.
Ndonëse ministri i Brendshëm tha publikisht se fluturimet kanë stopuar, tashmë ato janë rikthyer, kjo për shkak të shqetësimit se mbjellja e hashashit është rritur ndjeshëm.
Një gjë të tillë e konfirmoi dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë prezantimit të raportit vjetor të organit të akuzës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha të njëjtën gjë, edhe pse kritikoi punën e prokurorisë.
Por, në një kohë që mes dy institucioneve ka akuza e kundërakuza, kultivimi i kanabisit po bëhet hapur edhe në metropolin shqiptar. I tillë ishte rasti i fshatit Gropaj, vetëm disa kilometra larg kryeqytetit, ndërsa të tjera zona janë me risk të lartë, pasi policia nuk ka mjetet e nevojshme për të bërë monitorimin në terren.
E në një kohë kur Policia e Tiranës e ka mjaft të vështirë për të monitoruar kryeqytetin, çfarë mund të ndodhë me drejtoritë e policive në rrethe? (A2 Televizion)