
Bashkimi Europian duhet të ketë një qëndrim më të unifikuar lidhur me Turqinë dhe të shmangë përshkallëzimin e tensioneve.
Deklarata vjen nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili në një konferencë për shtyp nga Korsika foli për situatën në ujërat e Mesdheut dhe krizën mes Ankarasë dhe Athinës. Shefi i Elizesë i bëri thirrje Turqisë që të qartësojë qëllimet e saj.
“Turqia ka praktika të papranueshme në zonën ekonomike ekskluzive të Qipros dhe po shumëfishon provokimet në një mënyrë të padenjë për një shtet të madh. Populli turk është i madh dhe meriton diçka tjetër. Kur flas për paqen Mesdhetare, duhet të ketë kapacitet të gjejë një mënyrë bashkëjetese me Turqinë. Por ne, Europianë, duhet të jemi të qartë dhe të vendosur me Turqinë, jo me kombin apo popullin, por me qeverinë e presidentit Erdogan, që vepron në një mënyrë të papranueshme”, deklaroi Macron.
Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë u rritën ndjeshëm muajin e kaluar pasi Ankaraja dërgoi një mision për të gjetur naftë dhe gaz, në një territor i cili pretendohet nga të dyja vendet. Athina i konsideron të papranueshme veprimet e Ankarasë dhe kërkoi sanksione të forta gjatë një mbledhje në Bruksel.
“Sanksionet duhet të vendosin presion dhe ato duhet të jenë të ashpra. Duhet të jenë për një periudhë të shkurtër, por të forta, në mënyrë që të dërgojnë një mesazh se Europa është këtu për të negociuar dhe të mbrojë vlerat e saj”, deklaroi zv. ministri i Jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis.
Turqia është shprehur e hapur për negociata, por nuk pranon që të pezullojë operacionet e saj. Shpeshherë, presidenti Erdogan ka kërcënuar me kundërpërgjigje të forta, ku nuk ka përjashtuar dhe përdorimin e forcës ushtarake. (A2 Televizion)