
Vaksina eksperimentale kundër koronavirusit, e prodhuar nga AstraZeneca dhe Oksford mund të jetë ende e disponueshme në treg në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2021, pavarësisht frenimit në fazën e tretë të testimeve, për shkak të një reagimi anomal te një pacient.
Pascal Soriot, administrator i deleguar i AstraZeneca, kolosi farmaceutik që ka siguruar të drejtat e prodhimit të vaksinës, tha se deri në fund të vitit do të dinë nëse vaksina funksionon, por pyetja që shtrohet është për sa gjatë do të mbrojë ajo.
“Nëse vaksina funksionon, ne do ta mësojmë për pak muaj. Por, pyetja që shtrohet është: për sa gjatë? Jemi të mbrojtur për 3 muaj, për 12, për 2 vjet apo më shumë? Kjo përgjigje do të vijë ndërsa eksperimentet vazhdojnë. Përpara fundit të vitit do të mësojmë nëse vaksina i mbron njerëzit, të paktën për një periudhë të caktuar”, tha Soriot.
Sipas përfaqësuesit të lartë të AstraZeneca, vaksina kandidate e të cilës konsiderohej mes më të mirave në garë, efektet e padëshiruara gjatë testimeve janë diçka e zakonshme, por normalisht nuk janë kaq shumë nën lupën globale si në rastin e Covid-19. Kompania njoftoi pezullimin e përkohshëm të eksperimenteve, pasi një prej vullnetarëve shfaqi simptoma të lidhur me një inflamacion të rrallë të shyllës kurrizore, i quajtur mielit i tërthortë.
Soriot deklaroi se diagnoza nuk ishte përcaktuar dhe se nevojiteshin më shumë testime. Ndërkaq, Agjencia Ndërkombëtare e Transportit Ajror tha se ngarkesa me vaksinat e koronavirusit që do të shpërndahet rreth botës, do të përbëjë sfidën më të madhe të transportit në histori. Sipas saj, do të nevojiten 8 mijë Boeing 447 për shpërndarjen e dozave. (A2 Televizion)